I erdhi fundi! Momenti kur forcat rebele mësyjnë pallatin e Bashar al-Assad në Damask
Forcat rebele kanë marrë nën kontroll pallatin presidencial të Bashar al-Assad në Damask, pas një ofensive të shpejtë drejt kryeqytetit sirian, e cila i ka dhënë fund sundimit 53-vjeçar të familjes Assad.
Mëngjesin e së dielës, televizioni shtetëror sirian transmetoi video-deklaratën e një grupi luftëtarësh të forcave rebele, të cilët njoftuan se regjimi i Presidentit Assad kishte rënë dhe se të gjithë të burgosurit ishin liruar.
Sipas “Al Jazeera”, personi që lexoi deklaratën, u shpreh gjithashtu se grupi i njohur si ‘Salla e Operacionit për Pushtimin e Damaskut’, iu bënte thirrje gjithë luftëtarëve opozitarë dhe qytetarëve, që të ruajnë institucionet e “shtetit të lirë sirian.”
Lufta civile në Siri shpërtheu në vitin 2011 si një kryengritje kundër sundimit të Assadit dhe shumë shpejt u transformua në një konflikt masiv, ku u përfshinë edhe fuqi të huaja. Qindra-mijëra njerëz kanë mbetur të vrarë si pasojë e luftës së gjatë, ndërsa miliona të tjerë janë detyruar të braktisin qytetet dhe shtëpitë e tyre, në një nga krizat më masive të refugjatëve gjatë këtyre viteve.